Historiku

Historik i shkurër i Vushtrrisë

Vushtrria konsiderohet të jetë Viciana antike, e përmendur në "Tabelën Peutengeriana", tabelë kjo që ruhet në një roletë pergameni në bibliotekën e Konrad Peutingerit në Vjenë. Vushtrria është një ndër qytetet më të lashta të Kosovës, e cila në periudhën romake përmendet si qendër tregtare me emrin Vicianum, ndërsa për një kohë është njohur me emrin Vuçitërn. Shtrihet në pjesën veriore të Fushës së Kosovës, ndërkaq Komuna e Vushtrrisë, në veri kufizohet me Komunën e Mitrovicës, në lindje me Komunën e Podujevës, në jug me Komunën e Obiliqit, në jug-perëndim me ate të Drenasit dhe në perëndim me Komunën e Skënderajt. Komuna e Vushtrrisë ka 66 fshatra dhe rreth 70.000 banorë. Për zhvillimin hapësinor të Vushtrrisë ka shumë gojëdhëna, në mesin e tyre ka qarkulluar më së shumti në popull, gojëdhëna se: “Vushtrria është shtrirë deri në Trepçë”, ku thuhet se macja ka ecur prej Vushtrrisë deri në Trepçë, nëpër pullazet e shtëpive pa zbritur fare në tokë. Kjo gojëdhënë, e ka edhe një bazë materiale, sepse prej Vushtrrisë me radhë, fshatrave, e deri në Trepçë egzistojnë gërmadha arkeologjike. Vushtrria përjetoi pushtimin Romak, atë Bizantin, e pushtimi i saj nga Serbia ndodhi në vitin 1180, ndërsa më 1454 u pushtua nga Osmanët. Gjatë shek XV-XVIII, ajo, si qendër administrative dhe si qendër e sanxhakut u zhvillua e u zgjerua duke u bërë qytet kryesor në rrafshin e Kosovës. Në korrik të vitit 1912 kryengritësit shqiptarë e çliruan Vushtrrinë nga Osmanlinjtë, ndërkaq po në të njëjtin vit depërtuan pushtuesit serbë, të cilët e okupuan Vushtrrinë dhe me disa ndërprerje edhe nga pushtuesë të tjerë e mbajtën deri në vitin 1999. Udhëpërshkruesi i njohur Evlia Çelebiu, i cili e vizitoi Kosovën në vitin 1661, e përmend Vuçitërnën (Vushtrrinë) si qendër të Sanxhakut dhe thotë se ajo me kadillëqet e veta: Prishtinën dhe Novobërdën, është në kuadrin e Begler-Begllëkut të Rumelisë. Ai e përshkruan Vuçitërnën si qytet të njohur pasanikësh dhe bejlerësh, me shumë hane dhe oda për pritjen e miqëve dhe mysafirëve. Sipas këtij udhëpërshkrimi, në këtë kohë Vuçitërna ka patur 2000 shtëpi. Ndërkaq Ami Bue – udhëpërshkrues, në vitin 1838, jep të dhëna për familjen shqiptare të Gjinollëve, e ardhur këtu në shek XVIII, të cilët e sundonin këtë qytet. Ushtrimin e pushtetit mbi këtë qytet, pas Gjinollëve (1850) e ushtruan mydirët (drejtorët) e më vonë kajmekamët (që ishin kryetar rrethi).

Foto nga Vushtrria e vjetër

  • Fig 1. Qyteti i Vushtrrisë me Urën e Gurit, Sahatkullën, Xhaminë e Çarshisë dhe me shumë objekte tjera arkitektonike Foto e vitit 1933
  • Fig 2. Vushtrria në vitet e 50-ta të shek.XX Në foto shihet fillimi i rrugës ‘Skënderbeu’
  • Fig 3. Vushtrria në vitet e 50-ta të shek.XX Ne foto shihet Hamami (ne te majtë), minarja e Xhamisë së Carshisë. Gjithashtu kjo pjesë është pjesë e Carshisë së qytetit

Gjithnjë sipas Evlia Çelebiut, Vushtrria në periudhën austriake pësoi një rënie të gjithëmbarshme në zhvillim, me pasoja të zhvendosjes mekanike të popullsisë (emigrim) dhe parametra ekonomik. Rezultat i zhvillimit shoqëror-ekonomik gjatë historisë është dhe gjendja faktike me monumente të trashëgimisë materiale kulturore. Në këtë kontekst përmendim: Kalanë e qytetit, Urën e Vjetër të Gurit, Hamamin, Xhamiat, Kishat, Kullat, shtëpitë e vjetra me arkitekturë tradicionale, cezmet, rrugët me kalldërme, varrezat e vjetra, etj.