Ajo lidhte fshatrat e rrëze malit Çyqavica me Vushtrrinë si dhe nëpër grykën e Klysyrës e lidhte Rrafshin e Kosovës me Klopotnikun (Drenicën). Nëpër këtë urë kalonte rruga për Mitrovicë dhe stacioni i trenit në Shtruerë (Shtitaricë), Vushtrri-Prishtinë.
Urën e Gurit e përmendin edhe udhëpërshkrues të kohës, si francezi Filip Difren – Kane (1573) i cili, përveç të tjerave, thotë: ”… prej aty arritëm në Vushtrri, qytet i madh me Xhami të shumta dhe me Urë të madhe të Gurit”. Para tij e përmend Kuripeshiqi, por nuk jep detale për të.
Sipas shënimeve Osmane të vitit 1873/74, Vushtrria ishte një kasaba me tri Xhamia, 1 konak shtetëror, me dy ura mbi lumin Sitnicë - njëra prej druri e tjetra nga materiali i fortë guror. Tani Ura e Gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i të cilit për shkak të përbërjes pedologjike e ndërroi rrjedhën për disa dhjetëra metra në perëndim. Në lidhje me vjetërsinë e Urës ka versione të ndryshme, por dominojnë mendimet se ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, por burimet serbe thonë se pesë harqet e mesëm jamë shumë më të vjetra. Qytetarët e quajnë edhe Ura e Vjetër e Gurit. Në urë kanë qenë disa mbishkrime latine të cilat punëtoret shkencorë të Beogradit i kanë gdhendur dhe i kanë hequr nga aty.
Nga qytetarët është ndëgjuar se gurët e Urës së Vjetër të Gurit dhe Hamamit (Banjos Publike) njëherë janë bluar pastaj janë përzier me një material lidhës, dhe në fund janë qitur nëpër këllëfe. Sa i përket asaj, që serbët e trajtojnë si ‘Urë të Vojnoviqëve’, e vërteta është se Vojnoviçët ishin familje shqiptare e quajtur Don Çetaj nga Mali i Zi, që u dalluan si ushtarak dhe u quajtën Voin – Ushtarak, e nga Mali i Zi u vendosën në Vranjë, e pastaj te Ure Gurit në Vushtrri. Gjuhën shqipe serbët vendas e mësuan nga Vojnoviqët. Emrin Ura e Vjetër e Gurit e ndrroi vetëm pse pranë saj jetonin Don Çetajt - Vojnoviqët dhe qytetarët atëherë filluan ta quajnë Urën e vjetër të Gurit - Ura e Vojnoviqëve.
Ura është ndërtuar nga blloqet e gurit, të cilat si duket janë marrë nga kodrina e qytetit antik të Lumkuqi, ku ka të dhëna për vjetërsinë e këtij lokaliteti që nga koha e bronzit (2.100 – 1.100 para K.), si dhe të Martirajt të Epërm dhe Karaçës gurët janë të gjatë, rreth 1 metër e të trashë 30- 40 cm, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele. Ura me pjesët shtesë anësore është e gjatë rreth 135 m dhe e gjerë rreth 6 m, e ndërtuar mbi 9 harqe. Gojëdhënat thonë së i ka patur 12 harqe, por ato janë mbuluar me dhe në anët anësore. Harqet e fundit kanë qenë aq të larta, sa nëpër to kanë kaluar qerret me sanë. Pesë harqet e mesit, me maje të mprehtë janë ndërtuar në një fazë më të hershme, gjersa në fazën e dytë e ndërtimit, ishin harqet tjera anësore më të vogla. Ura e Gurit si dhe Kalaja kanë rendësi të madhe historike, arkitektonike, por edhe hidroteknike.
Qemerët e urës janë të ndërtuar me gurë dyngjyrësh, të kombinuar bardhë e kuq. Për lidhje më të mirë të tyre, në fugat ndarëse është përdorur plumbi i shkrirë. Muret e saj anësore janë punuar me gurë të gëdhendur me kujdes. Niveli i kalldrëmit të urës pasqyrohet në muret ballore nëpërmjet një kornize gjatësore të gurtë me profil në kurbët. Parapeti i urës, me lartësi 90 cm është realizuar me blloqe të vendosur në këlliq që fiksohen në taban me kunja metalike, ngulur me plumb të shkrirë. Edhe këtë urë e përmendin kronikë e udhëpërshkrues të ndryshëm që nga shekulli XVI .
Sipas disa historianëve Kalaja është ndërtuar në kohën antike. Ka mendime se ate e ka ndërtuar perandori Justinian (527-565), por është shkatërruar disa here. Jo shumë larg Kalasë, në anën përendimore të saj ka rrjedhur lumi i Sitnicës.
Ndërtimi është bërë nga gurët me formë të çrregullt dhe janë të lidhur me gëlqerë të shuar. Sipërfaqja e Kalasë është rreth 1.100 m2. Pjesë e Kalasë është edhe kulla dykatëshe me përmasa 11.30x11.30 m. Lartësia e mureve ruhet deri në 8m, ndërsa trshësia deri në 2m. Në kala hyhej nga pjesa juglindore e saj.
Kalaja kishte gypat e kanalizimit të cilat shërbenin për përcjellje të mbeturinave dhe të ujit. Gjatë gërmimit me rastin e ndërtimit të rrugës pranë ‘Çeshmes së Kalasë’ janë gjetur gypa me diametër rreth 40 cm, të cilët e kanë përcjellur ujin nga Çeshmja, ndoshta edhe nga Kalaja. Thuhet se në brendësi të Kalasë gjendej një farë ‘zgafelle’, që sipas legjendës shërbente në rast rreziku të dilej te lumi Sitnica. Hulumtimet arkeologjike ende nuk e kanë vërtetuar këtë legjendë. Në shumë vende në murin e Kalasë gjenden nga dy gurë çift të vendosura mbi një pllakë guri për të cilat ende nuk është dhënë ndonjë spjegim se çka në të vërtetë paraqesin ata.
Nga viti 2008 në Kalanë e Vushtrrisë janë zhvilluar gërmime arkeologjike nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve e më vonë edhe nga Instituti Arkeologjik, të cilat gërmime vazhduan deri në vitin 2013. Ndërsa nga viti 2011 filloi konzervimi i mureve të kalasë nga CHëB-ja. Kalaja në burimet historike përmendet si Kala e Vjetër. Kjo nënkupton se Kalaja vertetë është e lashtë. Gjatë historisë Kalaja përmendet nga kronikët dhe gjeografët e ndryshëm. Evlia Çelebiu në shek. XVII e përmend Vushtrrinë dhe thotë së më 1389 (792 h) Sulltan Murati I (Gazi Hudavendingar), pas pushtimit e shkatërroi Kalanë. E rindërtuar disa herë, ajo ka arritur të mbijetojë deri më sot.
Evlia Çelebiu, i cili e vizitoi Vushtrrinë në vitin 1662, thotë së kasabanë e tij e pushtoi personalisht sulltan Murati I (792 h - 1389) dhe aty ka medrese, teçe, mektebe, dhe një hamam. Kjo Banjo publike përmendet në shumë dokumente të kohës Osmane.
Burimet serbe përpjeken që banjon ta nxjerrin si Kishë Ortodokse, por nuk mund të vërtetojnë ketë. Megjithatë, e pranojnë së mund të ketë qenë një Kishë Katolike. Banjon Publike (Hamamin) si duket e ka ndërtuar Gazi Ali Beu. Kjo banjo është ndër banjot më të vjetra në Ballkan, e cila ka funksionuar deri vonë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo sherbente si banjo publike për meshkuj dhe për femra, të cilët pastroheshin me radhë në ditë të caktuara. Ajo përbëhej nga një ambient i madh i hyrjes. Në të hyrë të saj gjendet një korridor 4x10 metra e pastaj gjendet salla e madhe. Në këtë sallë frekuentuesit e hamamit lënin teshat e palara në kohën kur ata bënin banjo. Pas sallës është shatërvani me gurë në mesëm, ku tërë kohën rrjedhte ujë i ftohtë dhe i nxehtë dhe dy galeri, ambiente përbri njëra-tjetrës, të cilat shërbënin për të bërë banjo. Aty ndodheshin nga dy vaska guri ku shkarkohet uji i nxehtë, i ardhur nga depozita.
Uji në hamam, sipas të dhënave gojore, sillej nëpër gypa të keramikës nga bjeshkët lindore të fshatit Banjë. Ambienti i hyrjes është i ndërtuar nga gurë shtufi, si duket në një fazë të dytë, ndoshta në shekullin XVIII. Banjoja është e ndërtuar nga gurët e butë ngjyrë të bardhë e murosur me mjeshtri. Pullazi është i ndërtuar në formë kupole. Pjesa më e hershme e hamamit është volumi i përdhesës me tri kupolat e ulëta ku është ambienti i ndërmjemë, dy ambientet e larjës dhe depozita e ujit. Në anën e lindore të banjos është tjerrtorja për terjen e rrobave si dhe toaleti. Lokalet e Banjos janë të shtruara me gurë mermeri të bardhë. Kazani për nxjerrjen e ujit gjendet në anën lindore të banjos. Ky vend quhet Çylhan. Uji nxehej me dru të cilat silleshin nga malet përreth Vushtrrisë. Në kupolat sipër Banjos gjenden disa vrima të vogla në formë rrethi të mbuluara me qelq, të cilat kanë shërbyer për ndriqimin e lokaleve të brendshme me anë të rrezeve të Diellit. Në rrugën pranë banjos janë gjetur gurë të gdhendur me figura njeriu të kohës së vjetër.
Në hamamin e Gazi Ali Beut deri në vitin 1986 ruhej një altar mermeri kushtuar hyjit Dardan të pjellorisë dhe vegjetacionit, i cili tashmë ka humbur. Altari kishte të skalitur mbishkrimin: Deo IIII/ [An (d) [in] o)] IIII/ VI. P IIIII DA [……]… Gjatë punimit të rrugës pranë kësaj banjoje në thellësi prej dy metra janë gjetur edhe katër altar tjerë për të cilët nuk dihet se ku ndodhen.
Në Vushtrri këtë objekt kulti e quajnë “teqe”, e cila gjindet në parkun e qytetit, afër shkollave të mesme. Arkitektura e saj është në formë të tetë-këndshit, Brenda së cilës gjinden gjashtë varre, të cilët konsiderohen të jenë varret e shehlerëve, por ka edhe mendime se këto varreza janë të njerëzve që kanë pasur grada të larta ushtarake në kohën e Perandorisë Osmane. Sidoqoftë, ky është një objekt fetar. Rreth tyrbës është krijuar një kult, ku ndizen qirinjtë dhe gjuhen të holla të metalta Brenda saj. Ka njerëz që shkojnë e kërkojnë fat, ndezin qirinj në netët e mëdha, etj.
Rreth teqes kishte varre shqiptare Islame deri te fusha e sportit. Këto varre, pas Luftës së dytë Botërore pushteti serb i ka rrafshuar dhe kanë punuar park (që është edhe sot i njejti destinim). Varre kishte deri vonë edhe në anën perëndimore të Kalasë së Vushtrrisë, të cilat pushteti serb i ka shkatërruar, me siguri për të humbur gjurmët e kulturës materiales shqiptare. Sipas disa të dhënave gojore, të dëgjuara nga një roje i teqës i cili quhej Ajet Havarda, teqja është ndërtuar diku para 200 viteve dhe ka qenë e rrethuar rreth e përqark me varre, të cilat në vitet e 50-ta të shek.XX janë rrënuar dhe mbi to është punuar parku i qytetit.
Xhamia sipas një versioni Islam, është ndërtuar në vitin 1878, ndërsa sipas burimeve historike – Evlia Çelebisë, në qytet ka ekzistuar Xhamia e Vjetër (Eski-camii), e cila ishte vakëf i Hudaverdigiarit. Këtë Xhami e ka ndërtuar Sulltan Murati II (1421 – 1451). Më vonë është rrënuar, kurse prej materialit të saj është ndërtuar Xhamia e Mbretit. Ndërkaq, të dhënat gojore thonë se Xhamia në fjalë është më e vjetër që u ndërtua në Vushtrri, e cila u ndërtua dhe u shkatërrua disa herë. Arkitektura e saj ishte mjaft interesante dhe është quajtur edhe Xhamia Ikremie.
Kjo Xhami në popull quhej Xhamia e Çarshisë për arsye se u ngrit në qendër të qytetit, aty ku atëherë ndodhej tregu. Në kompleksin e kësaj Xhamie ka qenë edhe shadërvani (fontana), ku besimtarët mysliman merrnin abdes para se të faleshin në xhami. Pjesa që shtrihej para Xhamisë, ka qenë e shtruar në kalldërm. Aty ditëve të tergut, që në Vushtrri është e premte, bëhej falja e Xhumasë. Kjo pjesë gjithashtu shërbente edhe si treg i përditshëm për gjëra të ndryshme. Kjo xhami u shkatërrua nga barbaria serbe më 26 mars 1999, bashkë me Çarshinë e vjetër të qytetit. Minarja është minuar më 27 mars, ndërsa është rrafshuar me tokë më 28 Mars 1999 paradite.
Pas djegies së Xhamisë më 26 mars 1999, ate e rrafshuan me eskavator. Ajo ishte kohë lufte, popullata ishte larguar nga aty, por megjithate dikush lëvizte aty pari. Një tregëtar nga Vushtrria i pyet romët që e bartnin materialin e xhamisë dhe e hudhnin te sitnica se ç’do të bëni kështu, ata ju kishin përgjigjë ”se do e bëjmë zelenillo”, që do të thotë ”Do e bëjmë gjelbrim-park” - Kjo ishte politika serbe!
Xhamia në fjalë kishte një arkitekturë interesante dhe me minare. Xhamia është dykatëshe e stilit Osman. Ajo gjindet pranë Banjos Publike – Hamamit. Konsiderohet se ndërtues i kësaj Xhamie ka qenë Gazi Ali Beu, i cili thuhet se e ka ndërtuar edhe Hamamin.
Kjo Xhami, si pasojë e granatimeve të ushtrisë dhe policisë serbe në vitin 1999, ka pësuar shkatërrime në mure dhe minarja është rrëzuar tërësisht. Në oborret e kësaj Xhamie gjendej nishani – guri i varrit të Mustafë Beut, që ishte Sanxhakbe i parë i Sanxhakut të Vushtrrisë, i cili në të vërtetë ka qenë shqiptarë vendas.
Oborri i Xhamisë Gazi Ali Beu ishte përplot me gurë varresh të punuara me gdhendje dhe mjeshtëri të rrallë. Kishte edhe gurë varresh me ngjyra të ndyshme.
Gurët e varreve në Xhaminë e Gazi Ali Beut dhe Xhamisë Karamanli janë hequr nga oborret e këtyre xhamive nga një dorë e “fshehtë”, që sipas qytetarëve këtë e ka bërë një sekt i besimit Islam. Autori i parë i këtij katalogu ka qenë prezent kur gurët e marrur nga oborri I kësaj Xhamie janë mbuluar me zhavor dhe asfalt në rrugën e ndërtuar pranë Xhamisë, dhe me këtë është zhdukur një pjesë e kulturës islame shqiptare gati pesëshekullore, gjë që është bërë një dëm i madh edhe i kulturës islame dhe i asaj shqiptare.
Kjo Xhami është dy katëshe, e stilit Osman. Kati i dytë gjerë në gjysmë me trena e dërrasa, shkallët prej dërrasave, muri me trashësi 85 cm. Xhamia ka hajatin sa për tu falur dy safa (rrjeshta), e në fund të murit kanë qenë dollapet në të dy anët për lënien e këpucëve. Kjo Xhami është quajtur Xhamia e Plumbit, ngase ka qenë e mbuluar me plumb. Nga vjetërsia është ndërruar aluminiumi.
Xhamia Karamanli është riparuar tërësisht përbrenda. Në vitin 1986, është ndërtuar tërë muri rreth xhamisë me punë vullnetare. Minarja së bashku me kulmin e Xhamisë u shkatërruan nga bombardimet e forcave serbe më 6 prill 1999.
Vushtrria është një ndër qytetet më të vjetra në Kosovë, që konsiderohet të jetë Viciana antike. Në mesjetë ishte qender e Sangjakut që përfshinte: Sahat Kulla ose Ora Publike, e ndërtuar shekuj më parë pranë Xhamisë së Vjetër apo si e quante populli edhe Xhamia e Çarshisë.
Qytetarët janë orientuar nëpërmjet kësaj ore, e cila ka qenë në maje të kësaj kulle. Për të arritur në maje të kullës duhej kaluar 11 shkallë, të cilat edhe pse të vjetra, iu kanë shërbyer shumë qytetarëve.
Bujqit në ara në bazë të krismave të sajë e kuptonin se kishte ardhur koha e pushimit të drekës. Poashtu, në bazë të një tik-taku të veçantë, njerëzit kuptonin se dikush nga njerëzit e “mëdhenj” po e vizitonte Vushtrrinë, ose dikush nga udhëheqësit komunal po shkon në vizitë të një vendi tjetër. Meqë në atë kohë rrallë ndokush kishte orë, njerëzit orientoheshin në kohë në bazë të kësaj ore publike, si nxënësit punëtorët etj.
Ora publike i bënte qytetit një hijeshi impresive. Sot kjo orë publike kujtohet nga qytetarët me një nostalgji të veçantë. Ora kishte punuar deri në vitin 1954, kur nga përsona të panjohur është vjedhur ora dhe zilja e saj. Këmbana e kësaj Sahat Kulle është e një madhësie të madhe. Këmbana binte në ora 8, që paralajmëronte fillimin e punës, pastaj në ora 12 kur binte përsëri për t’i mbyllur dyqanët të cilat pushoni gjer në ora 14. Kjo ishte rregull.
Atë kohë Sahatkulla ishte në përkujdesje shoqërore. Mbahet në mend Tasim Kosova i cili kujdesej për te dhe ai i mbante çelësat e Sahatkullës. Shyqyri Shotani, berber rreth të 70-tave (i cili vdiq me 2005) që ishte shegert i Kryetarit të Komunës Murteza Eminit, thotë se kur Tasimi Kosova shkonte diku, unë kujdesesha për Sahatkullën. Këmbana është marrë, si thonë qytetarët që mbajnë mend, në vitin 1954, nga disa njerëz nga Prishtina. Në atë kohë, siç thonë ata, disa njerëz kishin mbledhur shumë qenë të cilët i kishin nxitur të zihen në mes vete dhe u bë një zhurmë e madhe, për çka qytetarët u frikësuan të dilnin jashtë e kjo kohë u shfrytëzua që të vidhet këmbana.
Sipas disa njoftimeve nga disa njerëz të kohës, që e kanë nuhatur mirë psikologjinë e pushtetit, organizimin e hiqjes së këmbanës dhe prishjes së Sahatkullës e ka organizuar Shërbimi Sekret i Sigurimit serb me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të trashigimisë kulturo-historike materiale që nuk ishin serbe. Sipas Shyqri Shotanit (berber i njohur në Vushtrri): “ndërtimi i Sahatkullës është udhëhequr nga një shqiptar Dibran.” Ndërsa sipas Islam Vërbovcit: “në bazë të rahjeve të ores edhe grate janë orientuar në përgaditjen e ushqimit, se le më burrat për punë të përditshme apo për kryerjen e obligimeve fetare.” Sahatkulla në Vushtrri me ambientin përrreth u shkatrrua pas viteve 1965.
Çarshia e Vjetër me disa rrugica, zakonisht ishte pjesa më atraktive e qytetit, e cila ishte e shtruar me kalldërm, ku gjendej Xhamia e Çarshisë dhe shumë punëtori apo dyqane ku punoheshin artizanatet. Në secilin dyqan përpos që punoheshin artizanate nga më të ndryshmet, ato edhe shiteshin dhe ekspozoheshin nëpër rafte dhe para dyqanit të varura në litar.
Qyteti kishte edhe ditën e pazarit (tregut), që mbahet mend se ishte zakonisht dita e premte, e që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Çarshia në ditën e pazarit ishte e gjallë, sepse për shit-blerje vinin njerëzit nga të gjitha anët. Dikush nga katundet sillte thasët me miell, dikush kacat me djathëra, pastaj punime dore e pëlhura të ndryshme, etj.
Pazari dhe Çarshia me dyqanet e vogla, ishin treguesit e vërtetë karakterizues për cilësimin e qytetit të një qendre të banuar, ku zhvillohej mbarë veprimtaria zejtare dhe njëkohësisht kryhej shitja e prodhimeve artizanale.
Që edhe sot e kësaj dite, te qytetarët e Vushtrrisë kur dalin për ndonjë punë të përditshme zakonisht shprehen se “po dal deri në çarshi”. Çarshia në njëfarë mënyre simbolizonte edhe vet bukurinë e qytetit. Aty ishin edhe objektet më të rëndësishme siç ishin: Banjoja publike (Hamami), Sahatkulla, Xhamitë, shtëpitë e vjetra, dyqanet, kafe-çajtoret, shadërvanet, etj. E tërë sipërfaqja Çarshisë ishte e shtruar me kalldërm. Aty kishte qarkullim të madh të njerëzve gjatë tërë ditës e deri natën vonë. Ca shkonin t’i falnin kohët në xhami, të tjerët për ndeja në kafe-çajtore. E sidomos gjatë muajit të axhërimit të Ramazanit dhe ditëve festive të Bajramit, Çarshija gumëzhinte nga lëvizjet e njerëzve të të gjitha moshave. Dhe sidomos gjatë festave të Bajramit, Çarshija mbushej me njerëz që vinin me qerre me kuaj të stolisur me lloj-lloj tufash të punuara me lule, fëmijë të veshur me tesha kombëtare e të gëzuar e plot optimizëm, e duke i’u uruar njëri –tjetrit festën e Bajramit, të cilat atë ditë blenin çka të donin, e ku nuk mungonte edhe muzika duke u përshëndetur e duke uruar njëri-tjetrin: “Përhajër Bajramin”, e duke ia kthyer: “Hajër paq e përhajër edhe ty”.
Çarshisë iu thurnin edhe këngë të ndryshme nga rapsodët popullor, si psh: “n’çarshi t’madhe, oh more dy zymbyla”… e kështu vazhdonin. Edhe gyrbetqarët, e sidomos ata që u shpërngulën me dhunë për në Turqi, ndër pyetjet më nostalgjike që u bënin kur takoheshin me Vushtrriasit, ishin: “Qysh e kemi Çarshinë e Vushtrrisë, a ka ndrruar Çarshia?”, etj. E kjo, se nga aty kishin bartur kujtimet më të mira për qytetin, për bisedat, për hallet, për gëzimet e hidhërimet me rastin e përcjelljes së më të afërmve, etj.
Vendasit e këtij qyteti flasin për 37 kroje. Krojet ishin vendosur që nga Kisha Ortodokse në Vushtrri e derit e Ura e Vjetër e Gurit. Kanë qenë këto çeshme: te Kisha Ortodokse, te parku, te kalaja, te furra e bukës së Çarshisë, të Hamami, te ndërtesa e ish-Entit komunal për çështje sociale, te mulliri i Nevzatit, etj. Uji nëpër këto kroje ishte i pastërt dhe në sasi të madhe. Tani këto kroje nuk rrjedhin më.
Ato i kanë futur brenda mureve të shtëpive, përveç njësish, te Mulliri i Nevzatit. Ato ishin të rregulluara mire dhe ia shtonin freskinë qytetit si me pamjen e tyre, me freskinë dhe pastërtinë e ujit. Ashtu me plotësimin e nevojave të qytetarëve të ardhur për treg e punët tjera ditore e javore.
Uji për këto kroje është sjellë me gypa qeramike nga rrënzët e bjekshëve nga ana lindore e qytetit.
Përveç krojeve publike në të kaluarën, ka pasur shumë puse të ujit (bunarë). Puset hapeshin dhe muroseshin me gurë, ndërsa lart iu ngjiteshin rrathë të gurit. Ata ishin gurë të mëdhenj, të cilët gdhendeshin me dalta dhe punoheshin rrathë, si ata të betonit që punohen sot. Rreth posit ngritej ca niveli dhe shtrohej në kalldrëm të gurtë. Aty pranë punoheshin edhe govata të gurit ku laheshin rrobat, etj. Si mjeshtër i njohur për punimin e rrathëve të puseve (bunarëve) nga guri, sipas profesor Bedri Shytit, kishte qenë Bekë Shyti nga Ashlani. Kësi lloj rrathësh kishte edhe në Ashlan me shumicë, si dhe në Vushtrri që gjenden edhe sot.
Sipas gojëdhënave që ruhen në banorët e fshatit Krasniqe e Epërme, në këtë fshat gjenden dy puse (bunare) të kohës së romakëve. Për këtë arsye, këto dy puse në Krasniqe të Epërme duhet të hulumtohen dhe studiohen në mënyrë shkencore.
Në këtë periudhë të shkurtër, nga themelimi e deri më sot, në menaxhim të personelit profesional, megjithatë, është arritë të grumbullohet një thesar i çmuar i artefakteve të kulturës materiale nga kjo trevë duke përfshirë: ekponate arkeologjike, historike etnografike, si dhe duke bërë inçizimin e trashëgimisë kulturore në terren.
Muzeu përbëhet nga sektori i arkeologjisë, historisë, etnografisë, folklorit, kinotekës,fototekës dhe disa nënsektorëve.
Në sektorin e arkeologjisë, eksponatet i përkasin periudhave të ndryshme historike duke filluar nga ato të qytetërimit Ilir, deri tek ato të periudhës së mesjetës së vonshme. Me synim që trashëgimia kulturore dhe historia të ruhen dhe mos të zhbëhen, duke ngërthyer këtu edhe ngjarje dhe figura historike në to, të cilat u përballën gjatë historisë me synim të krijimit të shtetit dhe pavarësisë, në këtë muze gjetën vend edhe eksponatet historike, fotografi të personaliteteve të shquara në nivel komunal dhe kombëtar si: foto të Hasan Prishtinës, Ismail Qemailit, Azem e Shote Galicës, etj. Në fushë të etnografisë numri i eksponateve e dominon gjithë muzeun. Në këtë fond ka pjesë veshjesh - strukturash moshore e gjinore nga më të ndryshmet, stukturash sociale dhe ekonomike po ashtu; pastaj shtrojw e mbulojë; nga enterieri enë e orendi; nga veprimtaria ekonomike (primare) vegla e mjete pune bujqësore; instrumente popullore, etj.
Kinoteka dhe fototeka - janë të pasura me inçizime të vjetra dhe me ngjarje e ceremoni nga më të ndryshmet; pastaj me fotografi nga fusha e historisë, nga fusha e arsimit, nga fusha e kulturës, foto që na tregojnë për ditët më të vështira të depërtimit të popullatës me dhunë nga trojet e tyre për në mërgim, etj.
Këto vlera kulturore, janë një thesar i vërtetw ngase pasqyrojnë historinë shoqërore, veprimtarinë ekonomike, kulturën dokesore zakonoren, artin popullor, besime e beswtytni, mitologjinë popullore e deri në Panteonin Hyjnor dhe shtresimet e më vonshme kulturore shpeshherë si sinkretizëm në ritet dhe ritualet tradicionale. Peshën shkencore këtyre vlerave të krijuara ia rritë fakti se janë fenomene dhe dukuri, përkatësisht krijime apo prodhime masash të gjera popullore, që flet për një kulturë burimore. Simbolika motivore në artefaktet e muzeut pa përjashtuar strukturën përmbajtësore të lëndës: poqeri, dru, metal, gurë, tekstil, ka një shtrirje të gjërë në gjithë përmbajtjen motivore të artit popullor.
Shumica e motiveve të realizuara në eksponate i dedikohen kulteve të paraardhësve, pastaj demoneve pozitive; kulteve kozmogonike; kulteve të pyjeve; kulteve të burimeve; kulteve bimore, etj, që pasqyrojnë lidhjen e njeriut me natyrën dhe fenomenet e saj.
Shtëpia e Mahmut agë Gjinollit është ndërtuar në kohën e Përandorisë Osmane, diku në fund të shek. XIX. Shtëpia kryesisht është e ndërtuar në stilin barok, por ka edhe elemente të tipit të shtëpive orientale. Në pjesën më të lartë të këtij pallati gjendet ora në formë harku, e cila ka funksionuar në favor të popullatës të cilët janë orientuar në kohë për qëllime praktike.
Shtëpia është e ndërtuar në perëndim të bërthamës së qytetit të Vushtrrisë, në pjesën që në at kohë dominohej shiqimi mbi qytetin. Vushtrria në shek XVI, XVII, XVIII përjetoi një ngritje. Në këtë kohë u ndërtuan edhe shumë shtëpi qytetare të të pasurve shqiptarë që kishin zënë vend në hierarkinë shtetërore osmane. Një e tillë është ajo e Mahmut agë Gjinollit.
Pozita e kësaj ndërtese është e kthyer kah lindja që nuk është karakteristikë e ndërtesave tjera feudale (të të pasurve). Ky ndërtim është bërë me qëllim të dominimit të pamjes mbi qytetin, për një vëzhgim më të mirë mbi lëvizjet në qytet. Në kohën e perandorisë Osmane në këtë shtëpi janë vendosur organet e pushtetit komunal (Beledije). Kurse pas Luftës së dyë Botërore ka shërbyer si ambulancë - spital, pastaj janë strehuar të varfërit, e së fundi me vendim të kuvendit komunal që aty të vendoset muzeu komunal Historik Etnografik. Monumenti Shtëpia e Mahmut agës ka rëndësi të veçantë arkitektonike, historike e kulturore për Vushtrrinë me rrethinë.
Shtëpia e Shaban Haxhiut është ndërtuar në shekullit XIX. Kjo shtëpi shquhet me arkitekturë popullore me elemente dekoruese gjeometrike, sidomos në dekorimet e dyerve ku paraqitet figura e diellit në disa raste. Kjo shtëpi në Vushtrri ka mbetur shtëpi unikate, e ruajtur e këtij stili.
Monumenti është i ndërtuar në pjesën perëndimore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë, dhe tani gjendet në një pjesë gati qëndrore të qytetit.
Shtëpia e Shaban Haxhiut është një shtëpi zotërinjësh, e punuar me një stil dhe arkitekturë të njohur, me oborr, me rrethojë muri tradicional nga qerpiqët dhe i mbuluar me qeramidhe, me dritare të mëdha, me një arkitekturë interesante dhe me një rëndësi të jashtëzakonshme kulturo-historike e arkitektonike. Është monument unikat i arkitekturës popullore qytetare të shekullit XIX. Është e ndërtuar me themele nga guri, me mur nga tullat, me dritare të shumta, me dekorime përbrenda. Është i njohur edhe mulliri I Shaban agës, i cili gjendej në breg të lumit Sitnica, aty ishte kopshti me pemë e perime. Ky mulli ka ekzistuar deri në vitet e 60-ta të shek XX.
Më 1972, ky shërbim i bashkangjitet Arkivit Historik regjional në Mitrovicë, që qëndroi deri më 1 Shtator 1980. Me iniciativën e Kuvendit Komunal në Vushtrri, themelohet Arkivi Historik i Vushtrrisë i pavarur. Vendimi për themelimin e Arkivit Historik Komunal në Vushtrri ishte shpallur në “Fletorën Zyrtare të KSAK nr. 38/80”.
Gjatë viteve 1990 – 1999 Arkivi Komunal Historik ka punuar nën masat e dhunshme. Më 12 – 15 Prill 1992 objekti Arkivit Historik caktohet në një lokal tjertër, që atëherë quhej “Shtëpia Partizan”. Ky lokal ishte tejet i papërshtatshëm për zhvillimin e veprimtarisë arkivore. Krahas ndërrimit të lokacionit, organet pushtuese serbe larguan nga puna disa nga punonjësit e arkivit.
Nga 21 Tetor 1997 Arkivi Historik vendoset në lokalet e mbrojtjes popullore. Në këtë lokacion kishte ushtruar veprimtarinë deri më 8 Gusht 2000, me ç’rast objekti i lirohet Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Pas, kësaj, si lokacioni i Arkivit Historik caktohet ish BVI-ja (Bashkësia e vetqeversisjes së interesit). Arkvi Historik Komunal i Vushtrrisë, në bashkëpunim me Arkivin e Kosovës dhe Arkivin Qëndror Shtetëror të Shqipërisë ka organizuar Ekspozitën me rastin e 88 vjetorit të shpalljes së pavarsësë së Shqipërisë.
Arkivi Historik një kohë ishte vendosur edhe në shtëpinë dykatëshe, që gjendet edhe sot në qendër të qytetit dhe i cili është dashur të shërbej edhe si monument i kulturës qytetare dhe jo si objekt për tregëti. Tani selia e Arkivit të qytetit gjindet në ish ndërtesën e TMK-së.
Sipas T. Abdylit në librin “Hasan Prishtina”, pushtuesit austro-hungarez, për shkaqe të strategjisë së tyre politike, hapi shkolla në gjuhën shqipe si dhe organizoi jetën kulturore. Në këtë kohë, nën ndikimin e patriotit Hasan Prishtina, në Vushtrri formohet “Banda e parë muzikore” dhe Shoqëria e parë kulturo-artistike.
Shoqëria kulturo-rtistike kishte edhe këto seksione: 1. Seksionin e dramës, 2. Seksionin e muzikës, dhe 3. Seksionin e recituesve.
Në vitin 1941 në Vushtrri vendosen forcat fashiste gjermane. Edhe gjermanët, me qëllim të strategjisë së tyre politike, e hapën Shtëpinë e Rinisë, të cilën e pagëzuan me emrin “Hasan Prishtina”. Aktivitete kulturore në frymë kombëtare zgjatën deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në komunën e Vushtrrisë, amatorizmi kulturo-artistik në mënyrë institucionale filloi të zhvillohet në të tri gjuhët pas Luftës së Dytë Botërore dhe këtë në gjuhën shqipe, serbe dhe turke, por edhe të grupeve të tjera etnike. Shoqëria e parë e cila u formua për kultivimin e vlerave kulturo-artistike ishte SHKA “Rashid Deda“ në Vushtrri, e cila aktivitetet e para i ka zhvilluar në Shtëpinë të quajtur atëherë “Partizan“, tani shtëpi e sportit, e nga viti 1970 në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina“ ish-Shtëpia e Armatës së Jugosllavisë, e cila gjendet në qendër të qytetit. Në vitin 1970 Armata e Jugosllavisë tërhiqet nga kjo shtëpi dhe i lihet në disponim komunës, e cila e përdor për nevoja të aktiviteteve kulturore dhe e cila emërtohet Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina“.
Në këtë shtëpi u zhvilluan aktivitete të mëdha kulturo artistike. Momentalisht këtu janë të vendosura Bibloteka e qytetit “Naim Frashëri”, Muzeu Historik Etnografik, Ansambli “Hasan Prishtina”, Teatri I Qytetit, Sektori i Rinisë dhe disa qendra rinore. Pas çlirimit shtëpisë së kulturës iu rikthye emri i atdhetarit të shquar Hasan Prishtina dhe ajo është kthyer në qendër të aktiviteteve kulturore.
Kjo urë është një prej pikave kaluese të rrugës së vjetër e cila lidhte Raguzën dhe Scupin përmes Vicianës që në “kohën e sundimit turk është quajtur edhe rruga e Tatarit”. Është ndërtuar prej një harku me strukturë të gurit me lartësi prej rreth 2.35m dhe përbëhet vetëm prej një rreshti të harkut mbi të cilin është ngritur ura në formë kurrizi.
Harku i saj ka një arkitekturë harmonike me shpërndarje proporcionale të elementeve të saj dhe është plotësisht simetrike në drejtimin veri–jug për kah gjatësia dhe në atë lindje–perëndim për kah gjërsia e saj.
Harku i Urës së Vjetër të Gurit në fshatin Vrri është i ndërtuar nga gurë të bardhë dhe të butë sikurse ata të urës së Gurit në Vushtrri që besohet të janë marrë nga fshati Martiraj (ish Studime) ose nga kodrina afër fshatit Lum Kuq (ish Samadrexhë). Përpos harkut në anën veriore dhe jugore të harkut të urës, ura përbëhet prej murit i cili është muruar me gurë të cilët nuk janë sikur ata të harkut. Besohet se këta gurë janë marrë në Shpat të Thatë i cili ndodhet afër vendit arkeologjik Kalaja e Gjytetit e cila ndodhet për 10 km në jug-perëndim të Vushtrrisë. Këta gurë janë dukshëm më të mëdhenjë se ata të cilët janë shfrytzuar për murimin e harkut. Murimi nuk është i rregullt sikur te harku i urës, por edhe gdhendja e gurëve nuk është aq e perfeksionuar sikurse te ata të harkut. Ngjyra e këtyre gurëve nuk është e bardh ëpor anon nga ngjyra e kafe e qelët të cilët në masën popullore njihen me emrin si gur për Toqillë, si gurë të fortë për mprehjen e pjesëve metalike.
Vlerat e mëdha kulturore-historike dhe arkitektonike dhe hidroteknike e bëjnë të rëndësishme restaurimin, ruajtjen e këtij objekti i cili do të shërbejë për njohjen dhe edukimin e brezave për të kaluarën tonë të lashtë dhe mesjetare.
Monumenti është i ndërtuar në fshatin Balaj në një kodrinë ku e dominon sipërfaqen përreth.
Fshati Balaj është një ndër fshatrat më të reja ku kishin pronat e vjetra feudale të shqipëtarëve në kohën e Përandorisë Osmane, gjegjësisht feudali i njohur Zenullah Begu. Fshati është zhvilluar përreth kësaj kulle dhe janë atraktive edhe disa rrethoja të punuara me gur. Pronarët e kesaj kulle kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet historike dhe kulturore të popullit tonë.
Objekti është me rendësi të madhe kulturo-historike e arkitektonike. Shtëpia tani është në mëshirën e kohës pasi, sipas njoftimeve pronari nuk ka lënë trashigimtar të vetëm. Sipas llojit dhe stilit, monumenti në fjalë është unikat i arkitekturës tradicionale shqiptare me elemente të arkitekturës moderne perëndimore. Vlerat e mëdha kulturore-historike dhe arkitektonike e bëjnë të rëndësishme ruajtjen e këtij objekti i cili do të mund të shërbej për edukimin e gjeneratave të reja në përkujtim të një ndërtimi interesant.
Destinimi kryesorë i këtij objekti do të jetë ruajtja si unikat arkitektonik me rëndësi historike dhe eventualisht mundësia e formimit të ndonjë biblioteke të fshatit në te, apo Muzeu lokal.
Është e punuar prej gurit të gdhendur. Kulla është dykatëshe. E mbuluar me qeramidhe. Ka dyert prej drurit dhe murin rrethuas prej gurit të gdhendur. Edhe rrethin e pusit të ujit në oborr e ka prej gurit të gdhendur.
Monumenti është i ndërtuar në fshatin Ashlan në një pjesë të relievit ku e dominon sipërfaqen përreth. Ashlani si vendbanim përmendet në regjistra kadastral Osman në shek XV. Fshati është zhvilluar përreth kësaj kulle dhe janë atraktive përveq kullës edhe objektet përcjellëse të saj si: dyert e drurit të mbuluara me një kulm, rrethojat e murit prej gurit, rrethi i pusit të ujit i punuar nga guri, etj.
Kulla ka një oborr të madh me një rrethojë muri tradicional, me dritare të vogla. Pronarët e kësaj kulle kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet historike dhe kulturore të popullit tonë. Në ketë kullë janë zhvilluar shumë ngjarje me rëndësi historike. Këtu janë marrë shumë vendime për akcione të luftëtarëve të Lëvizjes Kaqake kundër okupatorit serb , të udhëhequr nga Azem Bejtë Galica. Është monument unikat i arkitekturës tradicionale shqipëtare në komunë e Vushtrrisë.
Disa kulla të këtij fshati i ndërtuan mjeshtër nga Dibra, por ka edhe kulla që u punuan nga mjeshtër vendor të fshatit. Pothuajse gati të gjitha kullat janë punuar nga gurë të gdhendur të cilët janë marrë nga muret e lokalitetit antik Katunishta, në fshatin Gumnishtë dhe gurë të punuar në vend nga mjeshtër vendor.
Në muret e këtyre kullave vërehen se janë murosur gurë me dekorime të ndryshme si: rrathë koncentrik, orë diellore, rozeta, trekëndësha, simbole astrale dhe shkronja latine. Motivet e stilit gjeometrik solar të lidhura me Diellin dhe Hënën gjenden mjaft shpesh të gdhendura në oxhaqe, mbi dyer, dritare, dollape të shtëpive.
Pothuajse në të gjitha oborret e shtëpive vëreheshin rrathë të puseve të skalitur me dekor dhe shkronja, si dhe ishin punuar nga mjeshtërit e fshatit duke përdorur gurë vendor. Karakteristikë e ndërtimeve me gurë në këtë fshat janë mbi 10 kulla rrënoja të mbetura nga lufta e fundit të cilat i dogji ushtrria serbe.
Është e ndërtuar prej materialit të gurit, drurit dhe llaqit të përzier me byk e me kashtë. Shtëpia është e tipit në kat. Kati pëdhesë është i tëri i punuar nga materiali i gurëve të butë gëlqeror dhe drurit dhe me mure rreth 1 metër të trasha. Ndërsa kati i parë është i ndërtuar prej çatmave dhe llaqit të përzier me byk e me kashtë.
Ana veriore e katit të parë prej materialit të gurit dhe drurit. Pullazi i punuar me çatma dhe i mbuluar me tjegulla të vjetra dhe me strehë 1m të qituara jashtë. Shtëpia i ka dy hyrje, hyrja nga ana jugore dhe ajo veriore dhe me shkallë brenda. Të dy hyrjet i kishin nga tri dhoma fjetje, odën, shtëpinë e zjarrit (kuzhinën), koridorin dhe banjot brenda. Vetëm hyrja nga ana jugore kishte një divanhane të qitur jashtë që përdorej për ndeje verore.
Shtëpia siq thonë pronarët, ishte ndërtuar nga mjeshtrit Dibran, sipas të dhënave nga familjarët konsiderohet se ishte shtëpia e parë në këtë trevë po ashtu ka shërbyer edhe si shkolla e parë e këtij territori, e njëkohësishtë kishte shërbyer si ndërtesë e pushtetit local të këtyre anëve.
Është e punuar prej materialit të gurit të gdhendur. Shtëpia është e tipit në kat. Ka një punim të nivelit të lartë mjeshtrie.
Monumenti është i ndërtuar në fshatin e Dubovcit (Gjytetit të Dubovcit), rrezë Çyqavicës në një ambient që e dominon terrenin përreth. Fasadat e kullës janë të ruajtura mirë.
Fshati Dubovc si vendbanim në bazë të zbulimeve arkeologjike daton që nga koha parahistorike dhe i takon tipit kulturor dardan. I rregjistruar në Regjistrin e pronave nga administrata Osmane në shek XVI, shtrihet aty ku mbaron mali i Çyqavicës, në malet e Çyqavicës në pjesën jugperëndimore të Vushtrrisë, rreth 10-12 km larg saj, në trevën e Drenicës. Është vendbanim kodrinoro-malor i ndarë në lagje që janë mjaft largë njëra-tjetrës dhe përfshinë një territor mjaft të gjërë.